Ilir Daja përjashtohet nga nominimet e FSHF, pavarësisht një sezoni të shkëlqyer

Ilir Daja përjashtohet nga nominimet e FSHF, pavarësisht një sezoni të shkëlqyer

Ilir Daja gëzon respekt të madh nga tifozët dhe një pjesë e opinionit sportiv shqiptar, që shpesh e përmendin si kandidat ideal për stolin e Kombëtares dhe vlerësojnë punën e tij te Skënderbeu, trofetë dhe ndikimin në ngritjen e nivelit të trajningut në vend. Megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka përfshirë emrin e tij në listën e katër trajnerëve të nominuar për çmimin “Trajneri i Vitit 2025”, i cili do të dorëzohet të hënën në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Këtë vit, në garë për trofeun janë Edi Martini i Vllaznisë, Edlir Tetova i Egnatias, Mirel Josa nga Bylisi dhe Ivan Gvozdenovic, trajneri i AF Elbasanit.

Vendimi i FSHF ka habitur shumëkënd, pasi Daja udhëhoqi Dinamon drejt “Final Four”, ishte një hap larg titullit kampion, fitoi Kupën e Shqipërisë me “Blutë” dhe riktheu ekipin në arenën europiane pas pesëmbëdhjetë vitesh mungesë. Pavarësisht këtij bilanci, komisionet vlerësuese të FSHF nuk e kanë konsideruar të mjaftueshme për nominim.

Ndërkohë, në listë është përfshirë Mirel Josa, i cili këtë sezon ka vetëm disa muaj në Superligë me Bylisin, një skuadër që aktualisht gjendet në vështirësi të mëdha pas pesëmbëdhjetë javësh kampionat. Ky fakt ka shtuar debatet mbi kriteret e përzgjedhjes.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-