Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) kanë zbarkuar sërish në zonën turistike të Radhimës, në një operacion shembjesh që po zhvillohet në kulmin e sezonit veror.
Krahas disa ndërtimeve të tjera të parashikuara për t’u prishur, IKMT është ndalur edhe tek një subjekt privat që funksionon si dhoma plazhi, hotel dhe beach bar. Administratores së këtij biznesi, Rosela Toska, i është kërkuar të lirojë ambientet, pavarësisht se, sipas saj, ka në dorë të gjitha lejet për përdorimin e hapësirës publike dhe zhvillimin e aktivitetit turistik.
Toska deklaron për Blu TV se ka marrë lejet për shfrytëzimin e plazhit dhe akomodimin e turistëve, ka paguar taksat vjetore, dhe ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës së objektit, por tashmë përballet me një vendim shembjeje që, sipas saj, bie ndesh me autorizimet e dhëna më parë nga vetë institucionet.
“Nëse ka pasur ndonjë problem, duhej të na ndalonin që në fillim. Jo të na japin leje, të investojmë, dhe më pas të vijnë për të na i shembur,” – tha Toska.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi kohën dhe mënyrën e zbatimit të vendimeve për shembje, sidomos për subjekte që pretendojnë se kanë dokumentacion të rregullt dhe funksionojnë prej kohësh si pjesë e ofertës turistike të zonës.
Blu Televizion po ndjek nga afër situatën dhe do të sjellë reagimet e palëve të përfshira në ditët në vijim.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente