Mëngjesin e kësaj të hëne, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) realizoi shpërthimin e kontrolluar të një objekti trekatësh prej betoni, i ndodhur pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit. Për rrëzimin e objektit u hapën 410 furnela, u shtrinë 1,100 metra linearë fitil detonant dhe u përdorën 32 kilogramë lëndë plasëse.
Për të mos ndikuar në sezonin turistik, shpërthimi u krye në orët e para të mëngjesit. Aksi rrugor Vlorë–Orikum u bllokua përkohësisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike në zonë u ndërpre për 15 minuta para shpërthimit.
Gjatë operacionit ishin të pranishme mjetet zjarrfikëse, ambulanca dhe personeli i nevojshëm. Pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë ishin njoftuar më herët dhe kishin marrë masat mbrojtëse.
Pas shpërthimit të komanduar, IKMT vijoi ndërhyrjen për pastrimin e mbetjeve. Nuk u raportuan dëme apo problematika në objektet përreth.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente