Gjirokastër – Pas një hetimi të shpejtë dhe operacioneve të koordinuara, autoritetet kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies që ndodhi dje në fshatin Kakavijë, i cili rrezikoi jetën e banorëve dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale.
Policia e Gjirokastrës ka mundësuar arrestimin e K.V., 39 vjeç, banues në fshatin Kakavijë, i cili dyshohet se ka shkaktuar zjarrin gjatë punës me troko, i cili, për shkak të erës së fortë, është përhapur shpejt dhe ka djegur 4 banesa, sipërfaqe të mëdha pyjore dhe pemë frutore.
Gjatë ngjarjes, banorët u evakuan menjëherë nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarrfikësit, Policia, FRONTEX-i dhe Forcat e Armatosura, të asistuara edhe nga helikopterët e autoriteteve greke, mundësuan shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e jetës së banorëve.
Si rezultat i hetimeve të kryera menjëherë, u konstatua se 39-vjeçari K.V., gjatë përdorimit të trokos, ka shkaktuar zjarrin që u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e banorëve të fshatit Kakavijë dhe shkatërruar prona të rëndësishme.
Veprime hetimore dhe procedurale
Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme lidhur me akuzat për "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.
Apel i Policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë zjarr në asnjë rrethanë, pasi ata do të përballen me pasojat ligjore. Po ashtu, qytetarët janë të ftuar të denoncojnë çdo rast të mundshëm të zjarrvënies dhe paligjshmërisë në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
15 vite eksperience pune ne media audiovizove. Puna ne terren pasioni i saj.
Komente