Identifikohet autori i grabitjes dhe tentativës për përdhunim në Sarandë – Jorgo Kumaraku, 48 vjeç, shpallet në kërkim

Identifikohet autori i grabitjes dhe tentativës për përdhunim në Sarandë – Jorgo Kumaraku, 48 vjeç, shpallet në kërkim

Policia e Sarandës ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin dy ditë më parë, në lagjen nr. 2, ku një shitëse 26-vjeçare u grabit dhe u sulmua fizikisht në vendin e saj të punës.

Autori i dyshuar është Jorgo Kumaraku, 48 vjeç, i cili ka vepruar i maskuar me maskë kirurgjikale dhe kapelë, duke hyrë në një dyqan dhe duke kërcënuar me thikë shitësen, nga e cila ka marrë një shumë prej 60.000 lekësh.

Gjatë aktit të grabitjes, e reja ka pësuar lëndime të lehta fizike në dorë, ndërkohë që autori ka tentuar të kryejë edhe një marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj, përpara se të largohej nga vendngjarja.

Burime zyrtare të Policisë bëjnë me dije për Blu TV se identifikimi i Kumarakut është bërë falë pamjeve të një kamere sigurie në zonë, ndërsa viktima ka konfirmuar identitetin e tij përmes një fotografie të ofruar nga hetuesit.

Sipas të dhënave të siguruara, Jorgo Kumaraku rezulton me precedentë penalë, dhe më herët ka qenë i arrestuar për një tjetër rast grabitjeje me dhunë, ku viktimë kishte qenë po ashtu një grua, pranë një bankomati.

Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim Kumarakun dhe ka referuar materialet në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, vijon puna intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të forta sigurie në zonat tregtare dhe për mbrojtjen e punonjësve, veçanërisht grave që punojnë të vetme në ambjente të hapura ndaj rrezikut.

Blu Televizion do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet mbi këtë rast.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-