Parada madhështore “Trooping the Colour”, që shënon ditëlindjen zyrtare të monarkut britanik, u zhvillua këtë javë në Londër me një moment prekës përkujtimor. Për herë të parë, ceremonia u ndal për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të 279 viktimave të aksidentit ajror të Air India, përfshirë 52 shtetas britanikë që humbën jetën më 12 qershor.
Mbreti Charles, i cili prej muajsh po përballet me trajtimin kundër kancerit, mori pjesë në paradë i veshur me uniformën e tij ushtarake, shoqëruar nga Mbretëresha Camilla në një karrocë të hapur. Trashëgimtari i fronit, Princi William, së bashku me Princin Edward dhe Princeshën Anne, parakaluan me kuaj, ndërsa Princesha Kate Middleton – e cila ka deklaruar se ndodhet në remision – ndoqi ceremoninë me tre fëmijët e saj nga një karrocë tjetër.
Pjesa më e komentuar e paradës, përveç simbolikës përkujtimore, mbeti dalja tradicionale e familjes mbretërore në ballkonin e Pallatit Buckingham, ku u ndoq spektakli ajror nga skuadra akrobatike “Shigjetat e Kuqe”. Princi i vogël Louis, si zakonisht, tërhoqi vëmendjen me përshëndetjet e tij të gjalla dhe mimikat plot jetë.
E mbajtur çdo vit në qershor që nga koha e mbretit George II, “Trooping the Colour” mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit mbretëror – këtë vit, një përzierje e elegancës ceremoniale me ndjeshmërinë njerëzore.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente