AMSTERDAM – Holanda ka miratuar vendimin për të ndaluar përdorimin e fishekzjarrëve nga qytetarët gjatë natës së ndërrimit të viteve, duke e bërë natën e ndërrimit të viteve 2025-2026 të fundit ku do të lejohet ndezja e tyre nga individë privatë.
Vendimi u miratua me shumicë votash nga Dhoma e Lartë e Parlamentit në Hagë, pas miratimit paraprak nga Dhoma e Ulët.
“Nata e ardhshme e Vitit të Ri do të jetë e fundit kur qytetarëve holandezë do t’u lejohet të ndezin fishekzjarrë,” njoftoi qeveria.
Arsyeja: dhuna dhe rreziku për sigurinë publike
Vendimi vjen pas shqetësimeve në rritje për sigurinë, pasi fishekzjarrët janë përdorur në mënyrë të rrezikshme në vitet e fundit, shpeshherë për të sulmuar policinë, zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencës. Ka pasur raste të shumta plagosjesh dhe madje vdekjeje për shkak të pajisjeve shpërthyese të rënda.
Në disa raste, zjarre janë ndezur qëllimisht, duke vënë në rrezik lagje të tëra dhe duke shtuar ngarkesën për shërbimet emergjente.
Europa drejt ndalimeve më të gjera
Holanda i bashkohet një sërë vendesh evropiane që kanë ndërmarrë masa për ndalimin ose kufizimin e fishekzjarrëve, përfshirë Gjermaninë, ku presioni publik ndaj përdorimit të tyre gjatë festave është në rritje. Megjithatë, përpjekjet për një ndalim të unifikuar në Gjermani nuk kanë prodhuar një marrëveshje mes autoriteteve federale dhe atyre të landeve.
Vendimi i Holandës konsiderohet si një hap i guximshëm drejt mbrojtjes së jetës, sigurisë publike dhe reduktimit të ndotjes akustike dhe mjedisore.
Për më shumë zhvillime nga Europa dhe masa të ngjashme në rajon, qëndroni me BluTV.
Komente