Himarë, 3 maj 2025 – Sezoni turistik në Himarë është çelur zyrtarisht këtë fundjavë, në një ceremoni ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi potencialin turistik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, si dhe paralajmëroi projekte të reja investimi për përmirësimin e infrastrukturës urbane.
Në fjalën e tij, Rama shprehu mbështetje për kryebashkiakun e Himarës, Vangjel Tavo, për punën e kryer deri më tani dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përshëndetur pjesëmarrjen e kryebashkiakut të Korfuzit dhe performancën e bandës frymore të sjellë nga Greqia.
"Himara është e pozicionuar në mënyrë perfekte për të zhvilluar edhe diplomacinë vendore," tha Rama, duke shtuar se qeveria do të angazhohet për krijimin e formacioneve muzikore të përbashkëta për qarqet, që do t’u vihen në dispozicion bashkive për ngjarje kulturore.
Qendër e re dhe parking nëntokësor: planet për transformimin e Himarës
Kryeministri bëri të ditur se janë në fazën përgatitore të projekteve për transformimin urban të Himarës, përfshirë ndërtimin e një qendre të re qytetare.
"Himara nuk e ka një qendër. Ka një gjendje të mjerueshme atje dhe do të veprojmë," tha ai.
Ndër investimet më të rëndësishme të paralajmëruara është ndërtimi i një parkingu nëntokësor në territorin e stadiumit të qytetit, një projekt që synon të zgjidhë problemet e qarkullimit dhe parkimit gjatë sezonit turistik.
"Do të bëjmë një gjë spektakolare aty ku është sot stadiumi, me një parking nëntokësor për shumë makina. Nuk mund të kushtëzohet jeta urbane e kësaj vije të mrekullueshme bregdetare nga barrikadat e makinave," deklaroi Kryeministri.
Zhvillimi i zonave turistike: Dhërmiu dhe Borshi në fokus
Në fjalën e tij, Rama theksoi se po vijon puna për përmbylljen e çështjeve të pronësisë, veçanërisht në zonat me potencial të lartë turistik, si Dhërmiu dhe Borshi. Ai përgëzoi ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, si dhe kryebashkiakun Tavo për angazhimin konkret në zhvillimin e këtyre zonave.
"Dhërmiu do të jetë komplet tjetër," theksoi ai, duke lënë të kuptohet se do të vijojnë ndërhyrje për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe përmirësimin e aksesit në bregdet.
Kryeministri përmbylli fjalën e tij duke nënvizuar nevojën për qetësi politike dhe fokus në zhvillim, duke thënë se pas përfundimit të fushatës zgjedhore, të gjithë duhet të përqendrohen te puna për transformimin e Himarës në një destinacion të denjë ndërkombëtar.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente