Në një ngjarje frymëzuese që u zhvillua në Tiranë, 16-vjeçari Henri Golemaj prezantoi me sukses një ide biznesi që mund të ndryshojë mënyrën se si të rinjtë shqiptarë regjistrojnë dhe zhvillojnë bizneset – shpejt, lehtë dhe me kosto të ulët.
Nxënës në Shkollën Teknike Ekonomike në Tiranë, Henri nuk është një adoleshent i zakonshëm. I apasionuar pas botës së biznesit dhe teknologjisë ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij Melsi Muriza dhe Luis Celaj, prezantuan idenë e tyre përpara UNICEF-it dhe Dean Celaj gjatë një workshop-i dyditor mbi teknologjinë dhe sipërmarrjen.
Workshop-i, i udhëhequr nga sipërmarrësi i njohur Dean Celaj nga Vlora – themelues i platformës edukative Akademi.al, ishte një hapësirë e çmuar për mendime dhe ide novatore. Henri ishte një nga prezantuesit më të suksesshëm të aktivitetit, duke sjellë një aplikacion në zhvillim që synon të ndihmojë të rinjtë të regjistrojnë biznese në mënyrë të thjeshtuar, sidomos për ata që ndodhen jashtë Shqipërisë.
Fokusi i punëtorisë ishte fuqizimi i të rinjve përmes inteligjencës artificiale – si ta përdorin AI për të përmirësuar produktivitetin, menaxhimin e ekipeve dhe ndërtimin e bizneseve të qëndrueshme. Një qasje moderne, që mungon ende në jetën e përditshme të shumë të rinjve shqiptarë.
Përmes kësaj eksperience, Henri Golemaj ka treguar jo vetëm vizion të qartë për të ardhmen, por edhe aftësi të rralla për moshën e tij. Projekti i tij është tashmë në fazën përfundimtare të zhvillimit dhe pritet të lançohet së shpejti.
Në një vend ku burokracitë shpesh janë pengesë për sipërmarrjen, një platformë që thjeshton procesin e regjistrimit të bizneseve është më se e nevojshme.
“Koha është pasuria më e madhe që kemi,” thotë Henri – një mesazh i qartë që teknologjia nuk është thjesht për konsum, por një mjet real për të rinjtë që duan të sjellin ndryshime.
Shqipëria ka nevojë për mendje si Henri Golemaj. Dhe këtë herë, një ide e lindur në një klasë të thjeshtë në Tiranë, ka potencialin të ndikojë një brez të tërë.
Qëndroni me ne për më shumë detaje rreth lançimit të platformës.
Komente