“Hamleti në fshatin Katran” – Një pasqyrë tragjikomike e mungesës së lirisë

“Hamleti në fshatin Katran” – Një pasqyrë tragjikomike e mungesës së lirisë

Prej dy netësh, në Gjirokastër, publiku është magjepsur nga shfaqja “Hamleti në fshatin Katran”, një përpunim satirik dhe komik i dramës së famshme të Shekspirit, që kritikon me inteligjencë mungesën e lirisë dhe shtypjen politike.

Me një kast prej rreth 20 aktorësh, nga emra të njohur të skenës shqiptare deri tek figura të reja premtuese, shfaqja ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka nxitur reflektim të thellë, veçanërisht tek të rinjtë, mbi çështje të ndjeshme si të drejtat e njeriut dhe fenomeni i bullizmit.

Ngjarjet zhvillohen në një fshat të vogël gjatë një regjimi totalitar, ku autoritetet vendosin të inskenojnë “Hamletin” me banorët vendas. Por përgatitjet për këtë shfaqje teatrale zbulojnë plagët e brendshme të komunitetit: konfliktet, padrejtësitë dhe hipokrizinë që sistemi kishte mbuluar për vite me radhë.

Regjisori i shfaqjes, Erjon Hinaj, e cilëson këtë vepër si një udhëtim drejt një “katarsisi të brendshëm” për çdo spektator:
“Hamleti në fshatin Katran është një pasqyrim i krizave të brendshme që përjeton individi në përballje me padrejtësitë dhe sistemet e shtypjes,” – u shpreh Hinaj.

Ndërkohë, aktori Aleksandër Kondi e përshkroi mesazhin e teatrit si një “shkollë, një spital dhe një kishë”, ku shfaqen të vërteta të mëdha për shoqërinë:
“Në këtë shfaqje masive me mbi 20 aktorë, publiku ndeshet me të gjithë spektrin e emocioneve dhe mendimeve që një shoqëri në tranzicion përjeton.”

Aktori i njohur Bujar Asqeri, që ka bashkëpunuar shpesh me trupën, ndau emocionet e tij për këtë projekt:
“Kjo është një satirë komike që arrin të komunikojë mesazhe të qarta për mungesën e lirisë në sisteme të mbyllura. Kam pasur fatin ta njoh veprën nga një tjetër këndvështrim në të kaluarën, kur punoja me regjisorin Xhevdet Ferri. Tani, me këtë grup të përkushtuar, kemi sjellë një vepër që flet për sfidat kulturore dhe sociale në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

Pas suksesit në Gjirokastër, “Hamleti në fshatin Katran” do të vazhdojë turneun e tij në qytetet e Përmetit dhe Tepelenës, duke sjellë në skenat shqiptare një pasqyrë tragjikomike të realitetit social dhe duke sfiduar publikun të reflektojë për vlerat më themelore të shoqërisë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-