Montreal – Piloti i njohur britanik, Lewis Hamilton, u shpreh i tronditur pas garës së së dielës në Kanada, pasi mësoi se kishte goditur dhe vrarë një iriq tokësor gjatë garës, duke pësuar dëmtime edhe në makinën e tij Ferrari. Incidenti ndodhi teksa Hamilton po mbante një ritëm të mirë në garë, përpara se të përfundonte në vendin e gjashtë.
“Gjithçka po shkonte mirë deri në atë moment,” tha kampioni shtatë herë i botës. “Kisha një nisje të mirë, mbajta pozicionin dhe isha në ndjekje të grupit kryesues. Po menaxhoja mirë edhe gomat, ndaj isha optimist.”
Hamilton, një adhurues i kafshëve që shpesh shihet në paddock me bulldogun e tij francez Roscoe, tha se nuk e kishte parë iriqin, por kishte dëgjuar përplasjen.
“E mora vesh më vonë që kisha goditur një iriq tokësor. Është e dhimbshme për mua sepse i dua shumë kafshët. Jam shumë i trishtuar. Është një ndjesi e tmerrshme,” tha ai.
Sipas Hamilton, makina pësoi dëme në pjesën e poshtme në anën e djathtë, çka ndikoi në performancën e saj. Përveç kësaj, ai përjetoi edhe probleme me frenat dhe strategjinë e ndalesës së parë.
“Jemi me të vërtetë në nevojë për përmirësime. Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar për të qenë konkurrues në krye,” shtoi ai, duke shprehur zhgënjimin e tij me ecurinë e Ferrarit këtë sezon, ku për herë të parë në karrierë ka kaluar 10 gara pa një podium.
Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, përfundoi në vendin e pestë, pavarësisht problemeve që pati pas përplasjes në provat e së premtes. Edhe Leclerc e cilësoi garën si zhgënjyese në aspektin strategjik.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente