Gropë e madhe nëntokësore afrohet drejt banesave në Belsh, banorët në alarm: “Na rrezikon shtëpitë”

Gropë e madhe nëntokësore afrohet drejt banesave në Belsh, banorët në alarm: “Na rrezikon shtëpitë”

Një gropë e madhe nëntokësore, me diametër rreth 7 metra dhe thellësi mbi 10 metra, është hapur pranë banesave në lagjen e spitalit në Belsh, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës. Hapja e tokës, që është zgjeruar gradualisht ditët e fundit, po i afrohet rrezikshëm shtëpive, duke i bërë banorët të ndihen të pasigurt dhe të kërkojnë ndërhyrjen urgjente të strukturave të emergjencave civile.

Territori i Dumresë njihet për tokën e butë dhe përbërjen e saj, e cila shkrin lehtësisht nga uji, duke krijuar shpesh gropa të mëdha dhe liqene të shumta që e karakterizojnë këtë zonë. Kjo nuk është hera e parë që një fenomen i tillë shfaqet në Belsh: në qershor të këtij viti një gropë e ngjashme u hap në fshatin Dëshiran, ndërsa në maj 2022 një tjetër gropë u shfaq pranë banesave në fshatin Cestije.

Sipas banorëve, reshjet e fundit të shiut e kanë përkeqësuar situatën, pasi uji ndikon në shkrirjen e shtresave të tokës dhe e rrit rrezikun e shembjeve. Ata kërkojnë që autoritetet të vlerësojnë urgjentisht rrezikun dhe të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e shtëpive dhe të komunitetit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-