GREQI – Autoritetet greke njoftojnë se 40 zjarre kanë shpërthyer në territorin e vendit vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, 33 prej tyre janë vënë nën kontroll që në fazën fillestare, por shtatë vatra mbeten ende aktive që nga mbrëmja e së premtes.
Një prej zjarreve më problematikë u regjistrua në zonën Argithea të Peanias, në Atikë, ku flakët përfshinë shkurre të ulëta pranë një fshati. Zjarri u vu nën kontroll të pjesshëm, ndërsa në terren u angazhuan 50 zjarrfikës, dy njësi elitë pyjore, 15 mjete zjarrfikëse, vullnetarë, si dhe dy aeroplanë e katër helikopterë.
Banorët e fshatit Boura Papangelaki morën një paralajmërim zyrtar nga shërbimi i emergjencës 112, për të qëndruar në gatishmëri dhe për të ndjekur udhëzimet e autoriteteve, në rast evakuimi.
Ndërkohë, oficerët hetimorë dhe ekspertët e zjarrfikësve kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaktarët e zjarreve, ndërsa dyshohet për faktorë njerëzorë dhe klimatikë.
Departamenti i Zjarrfikësve u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarre në natyrë dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë autoriteteve. Rreziku i përhapjes së zjarreve mbetet i lartë për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta në shumë zona të vendit.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente