Greqia përballet me mbi 100 zjarre në një ditë – Situatë alarmante në Patra, evakuohen banorët e 25 zonave

Greqia përballet me mbi 100 zjarre në një ditë – Situatë alarmante në Patra, evakuohen banorët e 25 zonave

Situata e zjarreve në Greqi ka arritur përmasa alarmante, me 109 vatra të regjistruara vetëm në 24 orët e fundit, 48 prej të cilave janë shfaqur gjatë orëve të fundit. Qyteti i Patrës, i treti më i madh i vendit, është goditur rëndë nga flakët, duke detyruar evakuimin e banorëve në të paktën 25 zona. Autoritetet kanë urdhëruar banorët e shumë lagjeve të braktisin shtëpitë për shkak të rrezikut të lartë.

Flakët, të cilat nisën të martën, kanë djegur ullishte dhe pyje pishe në periferi, duke avancuar drejt lagjeve të banuara. Janë shënuar dëme të mëdha materiale, përfshirë djegien e shtëpive, bizneseve dhe mbi 550 automjeteve të konfiskuara në doganën e Patrës. Trafiku rrugor dhe hekurudhor është ndërprerë, ndërsa dy spitale, një qendër për të moshuarit dhe disa zona industriale janë evakuuar.

Mbi 5 mijë zjarrfikës, së bashku me qindra vullnetarë e banorë, po punojnë në terren për të frenuar përhapjen e flakëve. Megjithatë, era e fortë, relievi i thyer dhe temperaturat e larta po e bëjnë ndërhyrjen tepër të vështirë. Shumë nga vatrat e fikura po riaktivizohen.

“Situata mbetet e vështirë dhe për nesër parashikohet një rrezik shumë i lartë zjarri në shumicën e zonave të vendit. Çdo vatër e re merr përmasa të rrezikshme”, deklaroi Vasilis Vathrakogiannis, zëdhënës i Shërbimit Zjarrfikës.

Dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të tymit që ka mbuluar qytetin, ndërsa disa lagje kanë probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Ministria e Mbrojtjes Civile ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Prevezë dhe ishullin e Zakinthos.

Sipas autoriteteve, mbi 10 mijë hektarë tokë pyjore janë djegur vetëm gjatë 24 orëve të fundit, duke lënë pasoja të rënda në ishullin Hios, Zakintho dhe Kefaloni, ku pyje të tëra janë shkrumbuar.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-