Situata nga zjarret në Gramsh është përshkallëzuar mëngjesin e sotëm, duke detyruar autoritetet të japin urdhrin për evakuimin e banorëve në Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë. Dy fronte të mëdha zjarri po përparojnë me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar banesa, tokat bujqësore dhe pyjet përreth.
Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura, në mbështetje të forcave vendore dhe zjarrfikësve të MZSH Gramsh. Pavarësisht terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, ekipet po punojnë pa ndërprerje për të frenuar zjarrin dhe për të mbrojtur jetën e banorëve.
Banorët e evakuuar janë strehuar përkohësisht në ambiente të sigurta të ofruara nga Bashkia Gramsh, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tjerë të jenë të gatshëm të largohen nëse situata përkeqësohet.
Në orët në vijim pritet të nisë ndërhyrja nga ajri, me avionë dhe helikopterë zjarrfikës, për të ndaluar përhapjen e zjarrit dhe për të ndihmuar forcat tokësore në neutralizimin e vatrave aktive.
Autoritetet theksojnë se çdo njoftim për vatra të reja zjarri duhet të bëhet menjëherë pranë strukturave vendore të emergjencave, pasi rreziku mbetet i lartë në të gjithë zonën.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente