Goditet sërish Suel Cela! SPAK dhe autoritetet italiane sekuestruan pasuri me vlerë 4 milionë euro nga një organizatë kriminale shqiptare

Goditet sërish Suel Cela! SPAK dhe autoritetet italiane sekuestruan pasuri me vlerë 4 milionë euro nga një organizatë kriminale shqiptare

Një tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar shqiptar është realizuar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro që i përkisnin një organizate kriminale nga Elbasani, e cila operonte në qytetin italian të Veronës.

Operacioni, i koordinuar me Prokurorinë e Veronës, synonte një grup kriminal të strukturuar që merrej me trafik ndërkombëtar të drogës, kryesisht kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:

Një ndërtesë në Nogarole Rocca (Verona)

Një kompleks me 30 njësi (zyra dhe dyqane) me vlerë rreth 3 milionë euro

Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë, me rreth 400 mijë euro në vit

Një shoqëri tregtare në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali

Hetimet tregojnë se këto pasuri janë financuar nga të ardhura të përfituara nga trafiku i drogës. Paratë transferoheshin nga një shoqëri në Shqipëri, në pronësi të dy vëllezërve shqiptarë, dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme në Itali. Njëri prej tyre është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në burg në Belgjikë, i dyshuar për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp.

Në Shqipëri janë zbuluar transaksione të dyshimta për fshehjen e origjinës së paligjshme të parave, ndërsa dyshohet se fitimet janë ricikluar përmes investimeve në sektorin e ndërtimit në Itali.

Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë dhe burimet financiare të administratorit të një kompanie imobiliare në Verona, i lidhur me një çift shqiptarësh të përfshirë më parë në trafikun e drogës, persona të besuar të organizatës kriminale.

Operacioni vijon në fazën e hetimeve paraprake dhe përbën një precedent të rëndësishëm, pasi është rasti i parë i një organizate kriminale shqiptare që investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti anëtar të BE-së.

Ky sukses nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK dhe autoriteteve ligjzbatuese të huaja në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-