Policia e Durrësit ka finalizuar fazën e 11-të të operacionit policor të koduar “STORM”, i cili synon goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me prostitucionin në këtë qytet. Lajmi është bërë i ditur këtë të shtunë, më 13 dhjetor.
Sipas njoftimit zyrtar, janë arrestuar dy shtetase kolumbiane, L. S., 26 vjeçe, dhe M. P., po 26 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira një apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ky ambient dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.
Në lidhje me këtë rast, për veprën penale “Prostitucioni” është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi shqiptar E. M., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë kontrollit të ushtruar në apartament, Policia sekuestroi dy pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në lekë dhe valutë të huaj, tre telefona celularë, një bllok shënimesh si dhe disa karta SIM.
Operacioni “STORM” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, dhe u mbështet në metoda speciale hetimi për disa javë. Ky operacion ka në fokus goditjen e veprave penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Komente