Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi vendimin për kalimin në pronësi të godinës së ish-Gjykatës së Apelit në Vlorë, duke ia vënë në përdorim Universitetit “Ismail Qemali”. Kjo godinë do të shërbejë për Fakultetin e Shëndetit Publik, duke i dhënë zgjidhje një prej problematikave të vazhdueshme të këtij fakulteti në raport me infrastrukturën.
Vendimi është përshëndetur edhe nga dekani i këtij fakulteti, z. Enkelejd Mehilli, i cili në një intervistë për Blu TV theksoi se kjo është një zgjidhje shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Falënderojmë të gjitha hallkat institucionale që e bënë të mundur këtë vendim. Bëhet fjalë për një godinë bashkëkohore dhe shpresojmë që mësimi të nisë aty që në fillim të vitit të ri akademik dhe procesi të përmbyllet i plotë deri në fund të vitit,” u shpreh Mehilli.
Godina e ish-Gjykatës së Apelit do të shfrytëzohet tashmë për nevojat akademike të Universitetit të Vlorës, duke krijuar kushte më të përshtatshme për studentët dhe stafin pedagogjik të Fakultetit të Shëndetit Publik. Ky zhvillim është vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore në qytet.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente