Gjyqtarët e shkarkuar gjatë procesit të rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), por që mbeten ende të pezulluar, po i kushtojnë shumë shtetit shqiptar. Në raportin përmbledhës të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për vitin 2024, theksohet se efekti financiar nga nisja e procesit të rivlerësimit deri më 31 dhjetor 2024 ka kapur shifrën e 965.7 milionë lekëve (rreth 9.6 milionë euro).
Sipas raportit, që nga fillimi i procesit të rivlerësimit kalimtar janë dhënë 113 vendime shkarkimi me formë të prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), prej të cilave 24 vetëm gjatë vitit 2024.
“Rezulton se që nga nisja e procesit të rivlerësimit, janë shkarkuar nga detyra në total 144 gjyqtarë, me një efekt financiar prej 965.7 milionë lekësh deri më 31 dhjetor 2024. Vetëm për vitin 2024 janë shkarkuar 7 gjyqtarë me vendim të KPK-së, të cilët presin gjykimin në KPA, duke mbajtur statusin e gjyqtarit për shkak të pezullimit dhe përfituar ndërkohë 75% të pagës bruto fillestare, siç parashikohet në ligj. Efekti financiar për këtë grup përllogaritet në 11.9 milionë lekë,” thuhet në raport.
Në total, gjatë vitit 2024, 60 gjyqtarë me vendime të KPK-së për shkarkim nga detyra janë në pritje të procesit në KPA. Edhe ata gëzojnë statusin e gjyqtarit dhe paguhen me 75% të pagës bruto, duke i kushtuar buxhetit të shtetit 140.9 milionë lekë.
Po ashtu, deri më 31 dhjetor 2024, janë 33 gjyqtarë të tjerë të shkarkuar nga detyra me vendime të KPK-së, të cilët do të presin shqyrtimin e çështjeve në KPA gjatë vitit 2025, duke përfituar të njëjtin status dhe të njëjtën pagesë.
Në dokument theksohet se, sipas të dhënave të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, numri i vakancave për gjyqtarë në sistem është 136, nga të cilat 75 janë të përhershme dhe 61 të përkohshme.
Gjatë vitit 2024, funksionin e gjyqtarit në të gjitha nivelet e gjykatave e kanë ushtruar 272 gjyqtarë, çka përbën vetëm 66.6% të kapacitetit të plotë të sistemit, ndonëse është një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin 2023, ku ishin aktivë 247 gjyqtarë.
Komente