Kush votoi pro Rames dhe kush votoi pro Velise ne Kushtetuese?

Kush votoi pro Rames dhe kush votoi pro Velise ne Kushtetuese?

Pesë vota pro dhe tre kundër brenda Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë Erion Veliajt të rimarrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Pas një beteje të gjatë ligjore, Veliaj ia doli të rrëzojë vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
Kundër kërkesës së Veliajt votuan Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, si edhe Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi, ndërsa pro vendimit votuan Sandër Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.
Më datë 31 tetor, Erion Veliaj mori pjesë në seancën gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, një seancë maratonë që zgjati rreth shtatë orë. Ai kërkoi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në kryeqytet.
Pas parashtrimit të kërkesave dhe argumenteve ligjore, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, ndërsa Veliaj u rikthye në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej disa javësh.
Me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fund paqartësisë ligjore dhe politike, duke përcaktuar se Erion Veliaj mbetet kryetari legjitim i Bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë se më herët, Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, kishte kërkuar procedurat për shkarkimin e Veliajt dhe kishte shpallur si kandidate të PS-së Ogerta Manastirliun.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-