Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është liruar nga burgu pas vendimit të marrë sot nga Gjykata e Fierit, duke pranuar kërkesën për lirimin me kusht. Vendimi erdhi pas tre seancash gjyqësore që nisën më 17 qershor, ndërsa kërkesa për lirimin e parakohshëm ishte depozituar që në muajin maj.
Sipas procedurës ligjore, Salianji përfitoi të drejtën për lirimin me kusht pasi kishte përmbushur tre të katërtat e dënimit prej një viti burg, të vendosur ndaj tij për veprën penale të "kallëzimit të rremë" në lidhje me çështjen e njohur si "Dosja Babale".
Gjatë dy seancave të muajit qershor, Gjykata kërkoi raportet e vlerësimit nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier si dhe nga Shërbimi i Provës. Këto raporte u paraqitën në seancën e sotme dhe ishin pozitive në lidhje me sjelljen e të dënuarit gjatë qëndrimit në burg.
Prokurori i çështjes, Genci Mane, nuk kundërshtoi lirimin me kusht, duke u shprehur dakord me kërkesën e paraqitur. Gjyqtari Noel Veizaj vendosi në përfundim të seancës lirimin me kusht të Salianjit, duke e detyruar atë të paraqitet rregullisht pranë zyrës së Shërbimit të Provës deri në përfundimin zyrtar të dënimit.
✅ Kushtet e vendimit
Lirimi me kusht parashikon:
Detyrimin për t’u paraqitur periodikisht pranë Shërbimit të Provës;
Ndalimin për të kryer një vepër penale të ngjashme me atë për të cilën është dënuar;
Në rast të shkeljes së kushteve, rikthim automatik në burg pa kaluar në procedurat standarde të masës së sigurisë.
Ervin Salianji u dënua nga Gjykata për veprën penale të kallëzimit të rremë, në kuadër të asaj që njihet gjerësisht në opinionin publik si “Dosja Babale”, çështje që pati jehonë të gjerë politike dhe mediatike në vitet e kaluara.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente