Gjuetia lejohet pas më shumë se një dekade ndalimi, ligji i ri parashikon dhënien e zonave private

Gjuetia lejohet pas më shumë se një dekade ndalimi, ligji i ri parashikon dhënien e zonave private

Pas më shumë se një dekade ndalim, gjuetia do të lejohet sërish në Shqipëri. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “Për gjuetinë”, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në vend të zgjatjes së moratoriumit që ka skaduar vitin e kaluar, gjuetia do të lejohet në disa zona të caktuara, të menaxhuara nga subjekte private.

Ligji parashikon që zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private për një periudhë jo më të shkurtër se 10 vjet, duke marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve që thonë se janë të paktën 5 vjet të nevojshëm për përgatitjen e gjahut. Subjekti që merr menaxhimin e zonës do të jetë edhe menaxhuesi i saj.

Gjuetarë mund të jenë vetëm shtetas shqiptarë që kanë mbushur moshën 25 vjeç, që janë të pajisur me leje armësh dhe leje gjuetie. Ligji parashikon se statusi i zonës mund të hiqet për arsye sigurie kombëtare, zhvillimi rural, keqpërdorim ose moszbatim të kontratës nga qiramarrësit.

Sipas ekspertëve, ligji i ri do të ndihmojë në shtimin e popullsisë së shpendëve dhe kafshëve, por ka kritika mbi ndikimin real të moratoriumit të mëparshëm. Sidoqoftë, gjuetia e paligjshme dhe brakonazhi kanë vazhduar, me rastet kur gjuetarët e huaj kanë thyer moratoriumin.

Nëse nuk respektohen rregullat, ligji i ri parashikon gjoba të rënda, që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 1 milion e 300 mijë lekë për ata që gjuajnë kafshë jashtë listës apo pa leje.

Federata Kombëtare e Gjuetisë ka propozuar që gjuetia të bëhet një sport i licencuar, duke krijuar mundësi për të sjellë deri në 12 milionë euro të ardhura për buxhetin e shtetit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-