Gjirokastra në qendër të vëmendjes: Mbi 70 mijë turistë në 5 muaj, turizmi zgjerohet drejt Lunxhërisë dhe Antigonesë

Gjirokastra në qendër të vëmendjes: Mbi 70 mijë turistë në 5 muaj, turizmi zgjerohet drejt Lunxhërisë dhe Antigonesë

Sezoni turistik në Gjirokastër ka nisur me ritme të larta, duke e kthyer qytetin historik në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj. Sipas të dhënave të bashkisë, në periudhën janar–maj janë regjistruar mbi 70 mijë vizitorë që kanë eksploruar atraksionet e ndryshme të qytetit dhe zonave përreth.

Kryebashkiaku Flamur Golemi deklaroi se interes i veçantë është treguar për Pazarin karakteristik, Kalanë, muzetë e qytetit dhe Parkun Natyror të Viroit. Po ashtu, është rritur numri i guidave që përfshijnë fshatra me vlera të larta natyrore dhe kulturore si Lunxhëria, Cepo, Odrie dhe siti arkeologjik i Antigonesë.

Vizitorët vijnë nga vende të ndryshme evropiane si Italia, Franca, Spanja, Britania e Madhe e Irlanda, ndërsa një rritje është vërejtur edhe në vizitat në muzetë e qytetit. Deri në muajin prill, janë regjistruar mbi 7,700 hyrje në muze si ai Etnografik, “Kadare”, “Tuneli” dhe muzeu i Kalasë.

Përveç ofertës kulturore dhe historike, Bashkia e Gjirokastrës ka përgatitur një kalendar të pasur me aktivitete artistike dhe tradicionale, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë lokale dhe për të shtuar kohëqëndrimin e turistëve në qytet.

Për garantimin e një sezoni turistik sa më të suksesshëm, strukturat vendore janë angazhuar në menaxhimin e hapësirave publike dhe ruajtjen e pastërtisë. Viti i kaluar shënoi një rekord me mbi 700 mijë vizitorë në Gjirokastër, duke e kthyer këtë sektor në motor të rëndësishëm të zhvillimit lokal.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-