Tregu i Artizanatit në Gjirokastër, një investim prej 180 milion lekësh i financuar nga Bashkimi Evropian, nuk është vënë asnjëherë në funksion, ndonëse u inaugurua zyrtarisht në tetor të vitit 2024. Objekti, i ndërtuar me qëllimin për të promovuar zejet tradicionale dhe për të mbështetur artizanët lokalë, vijon të qëndrojë bosh prej më shumë se tetë muajsh.
Godina moderne ishte menduar si një hapësirë e përshtatshme për tregtimin e produkteve artizanale dhe për forcimin e identitetit kulturor të qytetit, por realiteti në terren tregon një tjetër pamje. Tregtarët rom vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugët e lagjes “Gerhot”, në kushte të papërshtatshme, pa infrastrukturë dhe me ndotje të lartë.
Tregtarët shprehen se nuk kanë ndërmend të zhvendosen, duke argumentuar se klientela e tyre është tashmë e lidhur me vendndodhjen aktuale, pavarësisht mungesës së kushteve dhe higjienës. Sipas tyre, zhvendosja në tregun e ri do të nënkuptonte humbje të klientëve dhe të ardhurave.
Mungesa e funksionalizimit të tregut të ri dhe refuzimi i komunitetit për t’u integruar në këtë hapësirë moderne kanë ngritur pikëpyetje mbi eficiencën e projektit dhe koordinimin mes autoriteteve dhe komunitetit lokal. Ndërkohë, situata në rrugët e Gerhotit vijon si më parë – me tregti informale, ndotje dhe kushte të papërshtatshme, pa një zgjidhje konkrete në horizont.
Komente