Gjirokastër – Në mes të vapës përvëluese, mungojnë çezmat dhe shatërvanët publikë

Gjirokastër – Në mes të vapës përvëluese, mungojnë çezmat dhe shatërvanët publikë

Gjirokastra po përjeton ditët më të nxehta të këtij sezoni, me temperatura që kanë arritur deri në 41°C, sipas të dhënave nga Instituti i Gjeoshkencave. Në këtë vapë përvëluese, qytetarët përballen me një problem të madh: mungesën totale të pikave publike të freskimit.

Në qytetin historik të gurtë nuk ekziston asnjë çezmë publike me ujë të pijshëm, ndërsa bie në sy fakti se Gjirokastra nuk ka pasur kurrë një shatërvan funksional, ndryshe nga shumë qytete të tjera në vend.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për mungesën e infrastrukturës bazë që do të ndihmonte në përballimin e temperaturave ekstreme. Në mungesë të alternativave, ata janë të detyruar të blejnë ujë në pika tregtare, çka për shumë familje përbën një barrë të shtuar ekonomike, sidomos në një periudhë të vështirë si kjo.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon që vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë javës në vijim, me temperatura që pritet të qëndrojnë mbi 38°C.

Gjirokastra përballet kështu jo vetëm me sfidën e klimës ekstreme, por edhe me mungesën e investimeve në infrastrukturën publike të ujit dhe freskimit, të cilat janë jetike për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve gjatë verës.

BluTV do të vijojë të ndjekë reagimet e institucioneve dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme në terren.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-