Në kuadër të orëve sensibilizuese dhe informuese, si pjesë themelore e zinxhirit të sigurisë në shkolla, në Gjirokastër u zhvilluan sot takime ndërgjegjësuese me nxënësit, të organizuara nga ndihmësspecialistët për edukimin në shkolla, përfaqësues të Policisë Rrugore dhe stafi pedagogjik.
Gjatë aktiviteteve në terren, nxënësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë mbi rëndësinë jetike të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, sinjalistikës vertikale dhe horizontale, vendosjen e rripit të sigurimit, si dhe shmangien e përdorimit të celularit apo konsumit të alkoolit gjatë drejtimit të automjeteve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të këmbësorëve në ruajtjen e sigurisë rrugore.
Në mënyrë simbolike, nxënësit mbajtën veshur jelekë fosforeshentë dhe shpërndanë fletëpalosje informuese, duke dhënë një mesazh të qartë për nevojën e evitimit të aksidenteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për një kulturë më të lartë rrugore.
Blu Televizion do të vazhdojë të ndjekë nga afër nisma të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në edukimin dhe sigurinë e brezit të ri.
Komente