Gjimnastika shqiptare ka shkëlqyer në kampionatin botëror "World Gym for Life Challenge", i mbajtur në Portugali, duke arritur të fitojë medaljen e bronztë.
Sipas Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, vajzat kuqezi kanë dhuruar një performancë të jashtëzakonshme, duke marrë përgëzimet e jurisë për nivelin e lartë të konkurrencës. Në këtë garë morën pjesë 33 shtete nga e gjithë bota, me rreth 3800 sportiste që konkurruan në Lisbonë.
Shqipëria u përfaqësua nga gjimnaste të shkëlqyera, mes të cilave: Merili Islami, Mishela Bitanji, Maria Zefi, Sara Moleci, Nil Elbasani, Nadia Daci, Enesa Sulaj, Chloe Qenanaj, Ilenia Sevdari, Silja Muhameti, Megi Papadhami, Iris Kadiu, Leandra Çela dhe Melisa Agolli. Ato ishin pjesë e ekipeve nga Berati, Shkodra, Lushnja dhe Tirana.
Ky sukses është rezultat i angazhimit të palodhur të trajnerëve të ekipit kombëtar, si dhe mbështetjes së Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, me sekretaren e përgjithshme Eliriana Karaj dhe presidentin Leonard Lulaj që kanë kontribuar në këtë arritje.
Ky sukses është një arritje e madhe për gjimnastikën shqiptare dhe një pasqyrim i mundësive të mëdha që ka ky sport në vendin tonë.
Komente