Gjermania paralajmëron Kosovën - Mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin në BE

Gjermania paralajmëron Kosovën - Mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin në BE

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë thirrje që të gjitha fuqitë politike të respektojnë dhe zbatojnë në mënyrë të plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, Berlini paralajmëroi se moszbatimi i këtij vendimi do të ketë pasoja serioze.

“Politikanët duhet të veprojnë urgjentisht për t’i dhënë fund krizës gati gjashtëmujore. Presim një zgjidhje të shpejtë brenda afatit të vendosur nga Kushtetuesja dhe u bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve politikë që të punojnë për një kompromis. Dështimi për ta respektuar vendimin paraqet kërcënim për mirëqenien e qytetarëve dhe rrugën e integrimit në BE,” – thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi njoftimin mbi aktgjykimin për zgjidhjen e ngërçit politik, duke urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve dhe zgjedhjen e kryekuvendarit me votim të hapur. Afati 30-ditor nis pasi vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Thirrja e Berlinit vjen në kohën kur drejtori gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel, zhvilloi takime në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, atë të LDK-së Lumir Abdixhiku, si dhe përfaqësues të partive serbe dhe të shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e SHBA-së dhe Italisë, kanë bërë të njëjtin apel për respektimin e vendimit. Partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë (PDK, LDK dhe AAK) e kanë mirëpritur vendimin, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar duke e cilësuar si “arbitrar” dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-