Për të dytën ditë radhazi, punonjësit e sektorit të Gjelbërimit në Vlorë kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar bashkimin e ndërmarrjes së tyre me atë të Pastrimit. Protesta vjen pas mungesës së një zgjidhjeje konkrete, pavarësisht takimeve të zhvilluara me institucionet vendore.
Në thelb të kundërshtimit qëndron kontrata e re e punës, të cilën punonjësit thonë se e kanë shqyrtuar, por refuzojnë ta nënshkruajnë. Sipas tyre, kontrata i detyron të kryejnë edhe pastrimin e qytetit, një detyrë që nuk përkon me funksionin e sektorit të gjelbërimit dhe me përshkrimin e deritanishëm të punës së tyre.
Punonjësit shprehen të vendosur se nuk do të pranojnë kushtet e reja dhe paralajmërojnë largimin nga puna nëse nuk gjendet një zgjidhje. Ata theksojnë se sektori i gjelbërimit ka një rol të veçantë për qytetin dhe nuk duhet të trajtohet si i njëjtë me shërbimin e pastrimit.
Sipas tyre, gjelbërimi përfaqëson një funksion jetik për Vlorën dhe duhet të funksionojë si strukturë më vete, ndërsa puna që kanë kryer ndër vite ka qenë e ndarë qartë nga pastrimi. Ata kërkojnë të vazhdojnë vetëm detyrën për të cilën janë punësuar, duke nënvizuar se kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar jetesën e familjeve të tyre.
Punonjësit rikujtojnë se ndër vite bashkia ka ndërmarrë ndryshime strukturore, por gjithmonë sektori i gjelbërimit dhe ai i pastrimit kanë funksionuar veçmas. Protesta, sipas tyre, do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje që garanton qartësi dhe siguri në punë.
Komente