Mbledhja e thirrur për ditën e sotme, 28 prill 2025, në orën 10:00 në Pallatin e Kulturës "Labëria", për të diskutuar çështje të rëndësishme të Këshillit Bashkiak të Vlorës, dështoi për mungesë kuorumi.
Në orën e caktuar, opozita ishte e pranishme në sallë, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës nisën të shfaqeshin vetëm pas orës 10:30, në një përqasje që tregoi më shumë interes për fushatën elektorale sesa për detyrimet institucionale.
Në total, numri i këshilltarëve të pranishëm ishte vetëm 20 nga 26 qe duheshin per te formuar kuorum, duke e bërë të pamundur vijimin e punimeve sipas ligjit. Si rrjedhojë, mbledhja u shty për një ditë më vonë.
Në rendin e ditës ishin parashikuar vendime të rëndësishme për jetën e qytetit dhe qytetarëve, mes tyre:
• Dhënia e ndihmave ekonomike për muajin mars 2025.
• Miratimi i tavaneve të të ardhurave dhe shpenzimeve për buxhetin afatmesëm vendor 2026-2028.
• Marrëveshje për pagesën e detyrimeve të prapambetura dhe kalimin e pronave publike në administrimin e bashkisë.
• Shpërblime financiare për dëme nga djegiet e banesave në Vlorë dhe dëmshpërblime për disa familje të prekura.
Pjesë e diskutimeve do të ishte edhe miratimi i marrëveshjeve me shoqatat ekonomike dhe përcaktimi i përfaqësuesve të bashkisë në bordet e institucioneve arsimore.
Mungesa e kuorumit në një mbledhje me një axhendë të tillë kritike tregon, sipas vëzhguesve, një mungesë serioziteti dhe përgjegjshmërie nga ana e përfaqësuesve të mazhorancës, në një kohë kur qyteti pret vendimmarrje konkrete dhe funksionim normal të institucioneve.
Mbledhja pritet të zhvillohet sërish ditën e nesërme, me shpresën për një pjesëmarrje më të përgjegjshme.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente