Furnizimi me ujë rikthehet në normalitet në Vlorë – UKV premton zgjidhje përfundimtare brenda vitit të ardhshëm

Furnizimi me ujë rikthehet në normalitet në Vlorë – UKV premton zgjidhje përfundimtare brenda vitit të ardhshëm

Pas më shumë se dy javësh problematikë, qyteti i Vlorës do të furnizohet normalisht me ujë të pijshëm. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Ermal Murati, deklaroi për mediat se situata është rikuperuar tërësisht dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë e ditëve të fundit.

Murati bëri të ditur se lagjet më të prekura nga mungesa e ujit – si “Kushtrimi”, “Pus Mezin”, “Lirimi”, fshati Nartë dhe zonat pjesërisht informale – nga sot do të furnizohen rregullisht me ujë. Sipas tij, problemi erdhi si pasojë e rënies së presionit në pompat e ujit, për shkak të luhatjeve të energjisë elektrike, duke shkaktuar më pas një zinxhir mosfunksionimi në linjën ekzistuese të amortizuar të ujësjellësit.

Në deklaratën e tij, Murati shtoi se po punohet intensivisht për realizimin e linjës së re të furnizimit, që do të japë një zgjidhje përfundimtare për problemet me ujin në Vlorë. “Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, linja e re do të jetë funksionale,” theksoi ai.

Gjithashtu, drejtori i UKV njoftoi se po projektohen ndërhyrje edhe për zonat rurale si fshati Zvërnec, Nartë dhe Akërni, duke garantuar përmirësim të ndjeshëm edhe në këto zona.

Çështja e furnizimit me ujë ka qenë një nga problematikat kryesore për qytetin bregdetar. Pas kalimit të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime nga Bashkia Vlorë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, qyteti ka përfituar një projekt madhor me vlerë 20 milionë euro. Ky projekt tashmë është në fazën e punimeve dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, duke mundësuar furnizim 24 orë me ujë për qytetarët.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-