Fundjavat sjellin fluks pushuesish në Vlorë – Mbi 600 pasagjerë mbërrijnë nga Italia

Fundjavat sjellin fluks pushuesish në Vlorë – Mbi 600 pasagjerë mbërrijnë nga Italia

Vlorë, korrik 2025 – Fundjavat po shënojnë një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve që mbërrijnë në Vlorë, duke e futur qytetin bregdetar në kulmin e sezonit turistik.

Vetëm gjatë mëngjesit të së dielës, mbi 600 pasagjerë kanë mbërritur në portin e Vlorës me tragete nga portet italiane, ndërsa sipas autoriteteve portuale, pritet që fluksi të rritet ndjeshëm në javët në vijim.

Pjesa më e madhe e udhëtarëve janë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet pranë familjarëve në atdhe. Ata i janë rikthyer brigjeve shqiptare jo vetëm për lidhjet emocionale me vendin, por edhe për të shijuar natyrën, plazhet dhe atmosferën që ofron Vlorë dhe zona përreth.

Plazhet e Vlorës, Orikumit, Zvërnecit dhe përgjatë gjithë Rivierës janë çdo ditë e më të frekuentuara, ndërsa në mbrëmje qyteti gjallërohet me jetë, me vizitorë që shëtisin në Lungomare, frekuentojnë restorantet, baret dhe marrin pjesë në eventet verore.

Operatorët turistikë dhe bizneset lokale shprehen optimistë për ecurinë e sezonit. Strukturat akomoduese po regjistrojnë nivele të larta rezervimesh, veçanërisht gjatë fundjavave, kur prurjet nga jashtë shtetit janë më të mëdha.

Në të njëjtën kohë, autoritetet vendore dhe strukturat e rendit kanë shtuar masat për sigurinë, rendin dhe pastërtinë në të gjitha zonat turistike, për të garantuar një sezon të qetë dhe cilësor për vizitorët.

Fluksi i lartë pritet të intensifikohet gjatë gjithë muajve korrik dhe gusht, me mbërritje jo vetëm nga Italia, por edhe nga Greqia dhe vende të tjera të rajonit.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-