Policia franceze ka ndaluar 12 persona, pasi 145 qytetarë raportuan se janë thumbuar me gjilpëra gjatë festivalit kombëtar të muzikës në rrugë, Fête de la Musique. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Brendshme e Francës, duke theksuar se incidentet janë regjistruar në disa qytete të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin.
Vetëm në Paris, policia ka konfirmuar të paktën 13 raste të tilla. Viktimat kanë deklaruar se janë thumbuar në krah, këmbë apo të pasme, në mënyrë të papritur, ndërsa hetimet po përqendrohen për të zbuluar nëse janë përdorur lëndë të rrezikshme si GHB apo Rohypnol, të njohura për efektet e tyre paralizuese apo për përdorim në sulme seksuale.
“Po e trajtojmë këtë situatë me seriozitet maksimal,” u shpreh një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme për CNN. Aktualisht po kryhen analiza toksikologjike, ndërsa hetimet vijojnë.
Gjatë fundjavës, miliona qytetarë dolën në rrugë për të festuar, me autoritetet që e përshkruajnë pjesëmarrjen në Paris si “të paprecedentë”. Shefi i Policisë së Parisit, Laurent Nuñez, deklaroi për CNews se në rrugët e kryeqytetit kishte trefish deri katërfish më shumë njerëz se zakonisht.
Paralajmërime për sulme ndaj grave ishin shpërndarë më herët në rrjetet sociale, veçanërisht nga aktiviste feministe si Abrège Soeur. Nuñez i quajti këto thirrje për të thumbuar gra “akte idiote dhe të dënueshme.”
Në Paris, prokuroria ka hapur hetime për raste që përfshijnë një vajzë 15-vjeçare, një të ri 18-vjeçar dhe një person tjetër, të cilët u ndjenë keq pas incidenteve dhe kërkuan ndihmë mjekësore.
Përveç këtyre sulmeve me gjilpëra, policia franceze ka ndaluar 371 persona gjatë natës së të shtunës për incidente të ndryshme, ku gati 90 prej tyre në Paris.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente