Franca ka vendosur ndalimin e pirjes së duhanit në një sërë zonash publike, në kuadër të masave të reja për mbrojtjen e shëndetit publik. Urdhri i shpallur nga Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, ndalon duhanin në plazhe, parqe, fusha sportive dhe në afërsi të shkollave dhe bibliotekave.
Shkelësit e këtij urdhri do të gjobiten me 135 euro.
Masa nuk përfshin hapësirat e jashtme të restoranteve dhe bareve, ndërsa cigaret elektronike për momentin nuk janë të përfshira në ndalim.
Ministrja Vautrin u shpreh se objektivi kryesor është mbrojtja e fëmijëve: “Ne duam që fëmijët e lindur në vitin 2025 të jenë brezi i parë pa duhan.” Ajo theksoi se ndalimi synon gjithashtu të parandalojë daljen e nxënësve jashtë godinave shkollore për të pirë duhan.
Në Francë, duhani mbetet një ndër kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik, duke shkaktuar rreth 75,000 vdekje në vit – ose një në dhjetë humbje jete.
“Liria për të pirë duhan mbaron aty ku fillon e drejta e fëmijëve për ajër të pastër,” deklaroi ministrja, duke nënvizuar se ndalimi nuk cenon të drejtën për të pirë duhan në hapësira private apo të dedikuara për këtë qëllim.
Komente