Tiranë – Revista prestigjioze “Forbes” i ka kushtuar një artikull të gjatë vizionit arkitektonik që po riformëson kryeqytetin e Shqipërisë, duke e cilësuar Tiranën si një mjedis urban pionier dhe ndër më emocionuesit në Evropë sot. Në qendër të kësaj transformimi është kryeministri Edi Rama, i cilësuar si “njeriu që po e vendos Shqipërinë në hartën globale të arkitekturës”.
Sipas artikullit të shkruar nga Zoë Dare Hall, një grup i përzgjedhur arkitektësh ndërkombëtarë, të ftuar personalisht nga Rama, po i japin Tiranës një identitet të ri kulturor dhe urban, përmes ndërtimeve të guximshme dhe eksperimentale. Ndër këto ndërtime përfshihen:
“Skënderbeu Tower” që i ngjan një koke gjigante
“Downtown One Tirana” me fasadën e saj në formë harte të Shqipërisë
“Puzzle Tirana” dhe “Hora Vertikali”, projekte arkitekturore të stilit avangard
“Pylli Vertikal” i Stefano Boeri, i mbuluar me mijëra bimë e pemë
Transformimi arkitektonik po ndodh kryesisht përgjatë Bulevardit të Ri, një zonë e re urbane ku po ndërtohen qendra biznesi, hotele luksoze dhe apartamente të nivelit të lartë.
“Për arkitektët, Tirana ofron një kanavacë të bardhë për imagjinatën e tyre,” thotë Michal Kristof, themelues i studios CHYBIK + KRISTOF, fitues i një konkursi ndërkombëtar në Tiranë.
Ky zhvillim ka ndikuar edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, i cili ka parë një rritje të çmimeve të apartamenteve nga 3,000 në mbi 10,000 euro për metër katror në disa ndërtesa. Investitorët e hershëm, sipas “Forbes”, kanë filluar të refuzojnë oferta të majme, ndërsa kërkesa rritet dita-ditës.
Për Ramen, ky projekt është më shumë sesa ndërtim fizik – është një ripërcaktim i identitetit të Shqipërisë përmes arkitekturës dhe hapësirës publike. Arkitektët e huaj nuk vijnë thjesht si vizitorë, por si pjesë e një eksperimenti të përbashkët që ndërthur traditën, krizën, klimën dhe historinë.
“Po ndërtojmë jo thjesht struktura betoni, por hapësira kuptimi. Jo monumente të gurta, por kocka mirëkuptimi,” – deklaron Rama, me gjuhë që “Forbes” e cilëson poetike dhe me vizion.
Sipas ekspertëve të fushës, 10 vitet e ardhshme pritet të jenë vendimtare për modelin urban dhe identitetin vizual të kryeqytetit shqiptar, që nga izolimi i dikurshëm i Shqipërisë nën diktaturë, po hapet sot ndaj botës përmes guximit, dizajnit dhe përfshirjes ndërkombëtare.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente