FOKUS – SHBA nis bisedimet e paqes me Iranin, marrëveshje e mundshme për programin bërthamor

FOKUS – SHBA nis bisedimet e paqes me Iranin, marrëveshje e mundshme për programin bërthamor

Shtetet e Bashkuara kanë nisur bisedime me Iranin për një marrëveshje të përhershme paqeje, konfirmoi i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në një intervistë për Fox News.

“Po flasim jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe përmes ndërmjetësve. Bisedimet janë premtruese,” tha Witkoff, duke theksuar se marrëveshja mund të lejojë një program bërthamor civil për Iranin, por pa pasurimin e uraniumit brenda territorit iranian.

Witkoff hodhi poshtë raportimet mediatike se sulmet ajrore amerikane gjatë fundjavës e kanë zbehur programin bërthamor iranian vetëm për disa muaj. Sipas tij, dëmtimi i objekteve kryesore në Natanz dhe Fordow është i tillë që programi do të marrë vite për t’u rikthyer, nëse rikthehet ndonjëherë.

Megjithëse media të ndryshme amerikane raportuan se në Fordow janë shkatërruar vetëm hyrjet dhe jo vetë objektet nëntokësore, Witkoff tha se sulmet e fundit kanë dobësuar rëndë kapacitetet e Iranit.

Sulmet fillestare u nisën nga Izraeli më 13 qershor, me qëllimin e shpallur për të shkatërruar aftësinë bërthamore të Iranit. SHBA më pas u bashkua në operacion, duke përdorur bomba të fuqishme anti-bunker për të goditur objektivat strategjike. Bisedimet për paqe përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm diplomatik në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-