Dhjetëditëshi i parë i muajit gusht ka shënuar rritje të fluksit të pasagjerëve në Portin e Vlorës krahasuar me muajt e mëparshëm të sezonit turistik, por shifrat mbeten më të ulëta se një vit më parë.
Shefi i përpunimit të trageteve, Festim Skendaj, bëri të ditur se nga 1 deri më 10 gusht janë regjistruar 16,638 pasagjerë në hyrje dhe 4,355 mjete, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shifrat ishin 22,904 pasagjerë dhe 5,807 mjete.
Edhe në dalje, rënia është e ndjeshme. Këtë gusht kanë dalë nga porti 13,500 pasagjerë, nga 21,799 që ishin vitin e kaluar. Sipas Skendajt, kjo lidhet me faktin se aktualisht në itinerarin me Italinë operon vetëm një kompani, ndërsa një vit më parë ishte aktiv edhe trageti që nisej nga porti i Himarës.
Referuar situatës së përgjithshme të sezonit, Skendaj thekson se ulja e numrit të pasagjerëve vihet re që nga qershori. Nga qershori deri në fillim të gushtit, në hyrje janë regjistruar 35,017 pasagjerë dhe 9,052 mjete, nga 48,501 pasagjerë dhe 12,102 mjete një vit më parë. Edhe në dalje shifrat janë më të ulëta: 13,500 pasagjerë dhe 3,432 mjete, nga 21,799 pasagjerë dhe 5,311 mjete vitin e kaluar.
Megjithatë, duke parë prenotimet, pritet që deri në mesin e gushtit fluksi të rritet dhe të arrijë nivelet e një viti më parë. Aktualisht, porti i Vlorës operon vetëm me linjën Brindisi-Vlorë, ndërsa për këtë javë parashikohet rritje e mëtejshme e numrit të pasagjerëve.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente