Fluks i lartë në Vërmicë, radhë të gjata automjetesh drejt Kosovës për festat e Vitit të Ri

Fluks i lartë në Vërmicë, radhë të gjata automjetesh drejt Kosovës për festat e Vitit të Ri

Një fluks i shtuar automjetesh është regjistruar gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, në kufirin Shqipëri–Kosovë, duke krijuar radhë të gjata që shtrihen deri në zonën e Morinës. Pjesa më e madhe e mjeteve në pritje mbajnë targa të Shqipërisë.

Qytetarë të shumtë po shfrytëzojnë pushimet e festave të Vitit të Ri për të udhëtuar drejt Kosovës, kryesisht me destinacion zonat turistike malore. Prevalla dhe Brezovica, të mbuluara nga bora, po tërheqin një numër të madh vizitorësh për shkak të kushteve të favorshme për turizmin dimëror.

Autoritetet doganore të Kosovës në Vërmicë bëjnë të ditur se po punohet me të gjitha sportelet e hapura për të përballuar fluksin, por numri i lartë i mjeteve vijon të krijojë vonesa. Në radhë ndodhen edhe automjete me targa të huaja, të cilat i nënshtrohen kontrolleve më të detajuara, çka ndikon në zgjatjen e kohës së pritjes në këtë pikë kufitare.

Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të tregojnë durim dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre, ndërsa pritet që fluksi të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim për shkak të festave.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-