Flamurtari nis përgatitjet për sezonin e ri, 21-ditësh në Turqi dhe merkato me emra cilësorë

Flamurtari nis përgatitjet për sezonin e ri, 21-ditësh në Turqi dhe merkato me emra cilësorë

Flamurtari FC ka startuar zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin e ri futbollistik, me synimin për të qenë protagonist në Superiore, pas rikthimit në elitën e futbollit shqiptar pas plot pesë vitesh mungesë.

Starti i punës dhe plani për në Turqi
Në një intervistë për BluTV, drejtori i klubit vlonjat, Artan Ferko, konfirmoi se stafi teknik është tashmë i plotë, ndërsa skuadra do të kompletohet në ditët në vijim me afrimin e lojtarëve të rinj nga merkatoja e verës.

“Skuadra ka nisur punën dhe kemi bërë gati të gjithë strukturën teknike. Do të punojmë intensivisht për të afruar elementë cilësorë që do ta forcojnë grupin,” – u shpreh Ferko.

Pas fazës së parë të përgatitjeve, ekipi do të zhvendoset në Turqi për një qëndrim 21-ditor, ku do të zhvillojë stërvitje dhe ndeshje miqësore në kushte optimale.

Investime në infrastrukturë
Ferko foli edhe për infrastrukturën sportive, duke theksuar se po punohet me ritme të shpejta për të përgatitur stadiumin "Flamurtari" për fillimin e kampionatit:

“Po punohet fort në stadium dhe synojmë që me nisjen e sezonit, Vlora të ketë një impiant modern, me të gjitha parametrat e kërkuar për elitën e futbollit,” – deklaroi drejtori.

Synime të qarta për Superiore
Kampionati i Kategorisë Superiore nis më 23 gusht 2025, dhe Flamurtari, me histori e mbështetje të madhe nga tifozëria, kërkon të jetë menjëherë pjesë e garës për objektiva ambiciozë.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-