Flamurtari me Investime të mëdha dhe rezultate të vogla .  Dështimi me regji luksi

Flamurtari me Investime të mëdha dhe rezultate të vogla . Dështimi me regji luksi

Java e 7-të e Kategorisë Superiore mbyllet me një bilanc të zymtë për një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, Flamurtarin. E rikthyer pas 5 vitesh mungesë, me pretendime të mëdha dhe investime që u trumbetuan si “marramendëse”, skuadra vlonjate ndodhet sot në fund të tabelës, me një bilanc mjeran:
2 barazime dhe 5 humbje.

Sot, me trajnerin e ri në stol dhe një tjetër humbje në arkiv, situata është më e qartë se kurrë. Flamurtari është kthyer në Superiore vetëm për të rënë sërish.

Me një politikë transferimesh të mjegullt dhe një skuadër të mbushur me lojtarë anonimë, klubi është shndërruar në një version pa identitet të vetvetes. Në këtë Flamurtar nuk gjen dot as një vlonjat, as në fushë, as në frymë, as në shpirt dhe kur nuk ka shpirt, rezultatet janë thjesht pasqyra e zbrazëtisë së brendshme.

A ishte ky rikthimi që prisnim?

Për një qytet që ka jetuar futbollin me pasion, që ka dhënë emra të mëdhenj dhe që dikur kishte frikë edhe nga kampionët, kjo që po ndodh sot është një fyerje për kujtesën.
Flamurtari është kthyer jo si krenari, por si projekti i radhës që mbahet në këmbë me fjalë boshe dhe pagesa të mëdha për emra të vegjël.
Një klub që dikur lartësonte talente sot blen gjithçka përveç shpirtit luftarak.

Në çdo ndeshje shohim të njëjtën skemë, skuadër pa ide, pa karakter dhe pa busull. Pa lidhje me tifozët, pa lidhje me qytetin dhe kur humb çdo lidhje me rrënjët, rënia është vetëm çështje kohe.
Nëse kjo situatë vazhdon, e ardhmja është mëse e qartë:
, rikthimi në Kategorinë e Parë nuk është rrezik , është destinacion.

Trajner i ri, të njëjtat probleme. Investime të mëdha por pa vizion. Lojtarë pa emër, pa zemër dhe mbi të gjitha, një klub që ka harruar se çfarë përfaqëson.

Flamurtari nuk ka nevojë për milionat e radhës por për ndërtim serioz, për identitet, për një rrënjosje të re në realitet dhe në ndjeshmërinë e qytetit të vet.

Sepse ndryshe, ky nuk është Flamurtari.
Është vetëm një emër bosh që humbet ndeshje, kohë dhe dinjitet.

Lajmi nga: Dea Hasanaj
Dea Hasanaj

Dea Hasanaj

Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.

Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.

Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV

Komente

-