Një jaht privat rreth 28 metra i gjatë, me emrin “Da Vinci” dhe i regjistruar në Alicante, në juglindje të Spanjës është përfshirë nga flakët mëngjesin e ditës së sotme në zonën e motorëve, për arsye ende të paqarta.
Në vendngjarje ndërhynë anijet e Salvamento Marítimo “Concepción Arenal” dhe “Naos” si dhe zjarrfikësit e Formenterës, të cilët evakuuan shtatë personat që ndodheshin në bord dhe tentuan shuarjen e flakëve. Pavarësisht përpjekjeve, zjarri nuk u vu dot nën kontroll dhe jahti u mbyt rreth orës 17:20, sipas konfirmimit të autoriteteve detare.
Zjarri shkaktoi një re të dendur tymi të zi, e cila u pa edhe nga distanca të mëdha si aeroporti i Ibizas dhe zona historike e Dalt Vilës.
Të shtatë personat që ndodheshin në bord ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe u transportuan në portin e Ibizas.
Komente