Finiq – Forcat e Armatosura dhe emergjencat civile në betejë me flakët në Livinë dhe Navaricë

Finiq – Forcat e Armatosura dhe emergjencat civile në betejë me flakët në Livinë dhe Navaricë

Trupat e Forcave të Armatosura, së bashku me emergjencat civile të qarkut Vlorë dhe mjetet zjarrfikëse, po vijojnë pa ndërprerje ndërhyrjen nga toka për të izoluar vatrat e zjarrit në fshatrat Livinë dhe Navaricë, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq.

Terreni i thyer dhe era e fortë po e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen nga toka, megjithatë ekipet zjarrfikëse janë vendosur në disa fronte për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Banorët raportojnë se tymi i dendur ka mbuluar një pjesë të fshatrave, duke shkaktuar shqetësim, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri për evakuim në rast nevoje.

Ndërkohë, operacioni po mbështetet nga ajri me avionin “Canadair” kroat, pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, dhe një helikopter i Forcave të Armatosura shqiptare. Këto mjete po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji mbi vatrat kryesore, duke ndihmuar ndjeshëm në ngadalësimin e përhapjes së flakëve.

Autoritetet lokale bëjnë thirrje për bashkëpunim dhe kujdes, duke apeluar qytetarët të shmangin lëvizjet pranë zonave të prekura dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re zjarri.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-