Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka zhvilluar punë intensive hetimore dhe operacionale për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, duke identifikuar dhe arrestuar dy shtetas që ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë.
Autori i zjarrvënies në Lushnjë gjithashtu pengoi zjarrfikësit, gjatë punës për shuarjen e flakëve.
Në Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Shezai Banaj, 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale "Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore". Dyshohet se ai ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”, ku, si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi të ndryshme të parkut kombëtar.
Në Lushnjë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin Arjan Kaja, 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik". Dyshohet se ai ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke. Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit apelon sërish për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale, si dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
E diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Bukuresht, në vitet 1998–2003, Marsela Topi ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të qëndrueshme në fushën e medias, duke kontribuar në radio, televizione lokale dhe qendrore.
Me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj informimit të saktë dhe profesional, ajo njihet për stilin e saj të matur, korrekt dhe të ndërtuar mbi parimin e objektivitetit gazetaresk.
Përvoja e saj shumëvjeçare është pasqyruar në mbulimin e ngjarjeve me rëndësi dhe në trajtimin e temave me ndjeshmëri publike, duke ruajtur gjithmonë integritetin dhe besueshmërinë si gazetare.
Komente