Fier – Vijon operacioni “Plazhi i lirë”, lirohen hapësira publike në Seman, procedohen penalisht tre persona

Fier – Vijon operacioni “Plazhi i lirë”, lirohen hapësira publike në Seman, procedohen penalisht tre persona

Policia e Fierit, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, ka vijuar me intensitet zbatimin e operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, i cili ka për qëllim lirimin e hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare dhe kontrollin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private gjatë sezonit turistik.

Tre hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme lirohen në Seman
Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik dhe Policinë Bashkiake, janë konstatuar shkelje në tre stacione plazhi në zonën e Semanit, ku subjekte të ndryshme kishin vendosur çadra dhe shezlongë pa leje, duke zënë hapësira publike.

Personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm janë:

E. F., 38 vjeç

R. Sh., 69 vjeç

Z. S., 56 vjeç

Të tre këta shtetas kishin zënë rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, në troje publike, pa pasur asnjë autorizim apo leje nga institucionet përkatëse.

Nis procedimi penal për tre vepra të ndryshme
Në lidhje me këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj tre personave për veprat:

“Pushtimi i tokës”

"Fshehja e të ardhurave"

"Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale"

Kontrollet vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Fier, me synimin për të garantuar hapësira publike të lira për pushuesit dhe për të siguruar që çdo aktivitet tregtar të ushtrohet në përputhje me ligjin.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-