Fier – Prefekti Çuko: Në gatishmëri për parandalimin e zjarreve, sfidë djegia e hambulloreve pas korrjeve

Fier – Prefekti Çuko: Në gatishmëri për parandalimin e zjarreve, sfidë djegia e hambulloreve pas korrjeve

Fier – Situata nga zjarret në qarkun e Fierit aktualisht është e qetë dhe nën kontroll, ndërsa strukturat përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave janë në gatishmëri të plotë.

Në një intervistë për ATSH-në, Prefekti i Fierit, Arben Çuko, bëri të ditur se janë përditësuar planet e gatishmërisë, sidomos në zonat turistike, për shkak të rritjes së fluksit të pushuesve gjatë sezonit veror.

Sipas Çukos, vëmendje e veçantë i është kushtuar masave parandaluese dhe monitorimit të vazhdueshëm të territoreve me risk të lartë për zjarre. Në bashkinë Fier, zonat më problematike janë masivi pyjor Darzezë–Pishë Poro, Gjorgos–Peshtan dhe kodrat me ullinj në Levan–Zhupan.

Po ashtu, janë identifikuar edhe zona të rrezikuara në:
Mallakastër – masivet pyjore të Lofkëndit dhe Çërrillit, si dhe kodrat e Çorrushit
Lushnjë – kodrat me ullinj të Zhamës, Karbunarës dhe masivi në Kosovë të Vogël
Divjakë – Parku Kombëtar Divjakë–Karavasta dhe kodrat e Grabjanit
Patos – zona e Kasnicës dhe masivi pyjor Gjinoqar–Drenie
Roskovec – masivi Vlosht dhe ullishtet në Kurjan

Prefekti theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së siteve arkeologjike dhe monumenteve të kulturës, si Apolonia, Bylisi dhe Manastiri i Ardenicës, për të parandaluar çdo rrezik nga flakët.

Një nga problematikat më të theksuara, sipas tij, mbetet djegia e hambulloreve pas korrjeve të grurit, e cila është kthyer në një praktikë e rrezikshme që mund të shkaktojë zjarr masiv.

“Deri tani zjarret kanë qenë sporadike dhe të përqendruara kryesisht në shkurre dhe hambullore,” u shpreh Çuko.

Për të përballuar situatat emergjente, qarku i Fierit ka në dispozicion 887 trupa operacionale dhe 14 mjete zjarrfikëse, të shpërndara në të gjitha bashkitë.

Një pjesë e rëndësishme e planit të masave lidhet me sensibilizimin e qytetarëve dhe evakuimin e mundshëm të popullsisë, nëse situata e kërkon, për të mbrojtur jetën, gjënë e gjallë dhe pronën.

BluTV do të vijojë të raportojë mbi situatën e zjarreve në të gjithë vendin dhe masat e ndërmarra nga autoritetet për sezonin e verës.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-