Fier – Gjysma e tokave me grurë mbeten djerrë në Topojë-Seman, fermerët drejt dorëzimit: “Na kanë braktisur”

Fier – Gjysma e tokave me grurë mbeten djerrë në Topojë-Seman, fermerët drejt dorëzimit: “Na kanë braktisur”

Sezoni i korrjes së grurit në zonën bujqësore të Topojë-Semanit në Fier po shoqërohet me vështirësi të shumta për kultivuesit vendas. Sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë është reduktuar me mbi 50%, ndërsa prodhimi ka rënë ndjeshëm dhe mbetet larg pritshmërive të fermerëve.

Shqetësimi kryesor është çmimi tepër i ulët i grurit në treg – vetëm 30 lekë për kilogram – i cili nuk mbulon as shpenzimet bazë. Fermerët shprehen se kostot e larta për farën, pesticidet, plugimin, frezimin dhe tani korrjen, i kanë lënë me humbje të thella.

Përballë kësaj situate të rënduar, shumë bujq janë detyruar të japin me qira tokat e tyre, ndërsa edhe vetë qiramarrësit po heqin dorë nga punimi i tokës. Mili Sako, një nga kultivuesit më të mëdhenj të grurit në zonë, shprehet me indinjatë:
“Fermerët janë totalisht të braktisur nga shteti. Institucionet organizojnë festa për grurin, ndërkohë që realiteti është dëshpërues. Çmimi i ulët, mungesa e subvencioneve dhe konkurrenca e padrejtë nga importi po na çojnë drejt falimentimit.”

Ai paralajmëron se vitin e ardhshëm nuk do të mbjellë më grurë, duke e cilësuar kultivimin e tij si të paqëndrueshëm ekonomikisht.

Fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet me politika reale mbështetëse dhe ndihma konkrete për ta, përndryshe, sipas tyre, bujqësia do të mbetet vetëm në fjalime dhe ceremoni simbolike, ndërsa tokat do të vijojnë të braktisen.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-