Çmimet e qirave për apartamentet në Fier kanë vijuar tendencën rritëse edhe gjatë vitit 2025. Sipas agjencive imobiliare, në pesë vitet e fundit është shënuar një rritje mesatare prej 40%, ndërsa edhe në zonat më të lira qiratë nuk zbresin poshtë 150–180 mijë lekëve të vjetra.
Agjentja imobiliare Arta Progonati rendit disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë rritje të qëndrueshme: shpërngulja e të moshuarve drejt qytetit për të qenë më pranë spitaleve dhe shërbimeve pas pandemisë, transferimi i nxënësve nga zonat rurale dhe akomodimi i stafeve të huaja që punojnë në ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonën e Semanit dhe Darëzezës.
Në lagjet kryesore të qytetit, si “Kastriot”, “15 Tetori”, “1 Maji” dhe “Apolonia”, çmimet e qirave mujore variojnë nga 250 deri në 300 mijë lekë. Sipas agjentëve, edhe pallatet ekzistuese – jo vetëm ndërtimet e reja – po gëzojnë interes të lartë nga qiramarrësit.
Një tjetër arsye për rritjen e çmimeve lidhet me shtimin e kërkesës për qira afatshkurtra, sidomos gjatë muajve të verës, duke shënuar një tendencë të re në treg.
Megjithatë, rritja e çmimeve është kthyer në barrë për shumë qiramarrës, të cilët e kanë gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostove mujore.
Sipas agjencive imobiliare, kërkesat më të larta vijnë nga banorët vendas, ku qiramarrësit nga zonat rurale preferojnë zonat qendrore të Fierit, ndërsa banorët e qytetit shpesh orientohen drejt periferisë.
Tendenca e tregut tregon se qiratë, si ditore ashtu edhe mujore, po shihen gjithnjë e më shumë si një formë investimi që sjell të ardhura të qëndrueshme për pronarët.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente