Fier, 11 korrik 2025 – Panik në qendër të Fierit mesditën e sotme, kur një automjet tip “Fiat” u përfshi nga flakët ndërsa ishte në lëvizje. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se zjarri ka shpërthyer papritur, duke rrezikuar jetën e drejtuesit dhe pasagjeres – bashkëshortja e tij – të cilët kanë arritur të dalin në kohë, fatmirësisht pa lëndime.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve, por automjeti është shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vend për të zbardhur shkaqet e zjarrit, ndërkohë që dyshohet për një defekt teknik.
Dimal – Zjarr masiv në zonën kodrinore të Malas-Bregasit, djegin qindra rrënjë ulliri
Dimal, 11 korrik 2025 – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesnatën e kaluar zonën kodrinore pranë fshatit Malas-Bregas, në qytetin e Dimalit. Flakët, të cilat vijojnë ende aktive edhe sot në mesditë, janë përhapur me shpejtësi, duke shkrumbuar qindra rrënjë pemësh ulliri dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Në ndihmë të zjarrfikësve të Dimalit janë angazhuar edhe forca shtesë nga Fieri, Lushnja dhe Berati. Megjithatë, ndërhyrja po vështirësohet nga terreni i thepisur dhe era e fortë, të cilat e kanë bërë të pamundur vendosjen nën kontroll të flakëve deri në orët e pasdites.
Autoritetet vendore dhe emergjencat civile ndodhen në terren, ndërsa përpjekjet për neutralizimin e zjarrit dhe shmangien e rrezikut për banesat përreth janë në vijim. Dëmet materiale deri më tani vlerësohen të jenë të konsiderueshme.
Komente