Darëzezë, Fier – Policia e Fierit, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik dhe Policinë Bashkiake, ka ndërmarrë një tjetër aksion për lirimin e hapësirave publike në zonat bregdetare. Në fokus të operacionit ishte plazhi i Darëzezës, ku u konstatuan 90 komplete me çadra dhe shezlongë të vendosura pa autorizim.
Sipas njoftimit zyrtar, objektet ishin vendosur në mënyrë të paligjshme nga një subjekt privat, dhe janë sekuestruar menjëherë nga autoritetet.
Pronari nën hetim në gjendje të lirë
Pronari i subjektit, shtetasi D. M., 26 vjeç, do të hetohet në gjendje të lirë për disa vepra penale, përfshirë:
“Pushtimi i tokës”
“Fshehja e të ardhurave”
“Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale”
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, e cila do të ndjekë më tej rastin.
Policia: Kontrollet do të vijojnë
Policia lokale dhe autoritetet bashkiake kanë paralajmëruar se kontrollet për lirimin e hapësirave publike do të vijojnë në të gjitha zonat turistike dhe urbane të qarkut Fier, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe aksesin e lirë të qytetarëve në plazhe.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente