Festa e grurit në Apoloni, një mozaik i gjallë i traditës dhe kulturës myzeqare

Festa e grurit në Apoloni, një mozaik i gjallë i traditës dhe kulturës myzeqare

Qyteti antik i Apolonisë u kthye këtë fundjavë në një qendër të gjallë të festimeve, duke mirëpritur “Festën e Grurit”, një traditë tashmë e konsoliduar e bashkisë së Fierit. Në hapësirat pranë fshatit Pojan, qindra qytetarë dhe turistë të huaj u bashkuan me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke për të festuar bukurinë dhe pasurinë bujqësore të zonës.

Veshjet tradicionale, kurorat prej gruri dhe vallet popullore krijuan një atmosferë autentike e festive, ndërsa fëmijët – të veshur me kostume popullore apo me simbolet e grurit – ishin pjesa më e gjallë e festës. Aktivitetet për ta ishin të larmishme, duke e kthyer ditën në një kujtim të paharrueshëm për shumë familje.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite dhe premtoi mbështetje për vijimësinë e saj.

Festa e grurit shërbeu jo vetëm si një promovim i produkteve bujqësore dhe kulinarisë vendase – me bibën në saç si një nga recetat më karakteristike të Myzeqesë – por edhe si një nxitje për turizmin kulturor dhe për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e tokës dhe punës së fermerëve.

Parada e autokombajnave, panairet me produkte bio dhe aktivitetet artistike e kulturore i dhanë ngjyrë një feste që, edhe pse e lashtë në histori, vazhdon të përtërihet çdo vit me energji të reja dhe dashuri për vendin.

“Festa e Grurit” mbetet një nga ngjarjet më përfaqësuese të identitetit të Myzeqesë, duke treguar se traditat jo vetëm që ruhen, por edhe lulëzojnë kur kthehen në pjesë të jetës komunitare dhe jetës turistike të zonës.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-